Deputetët e Parlamentit Evropian kanë nënshkruar një letër përmes të cilës kanë kërkuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel që të vendosë në agjendë të Këshillit Evropian çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Eurodeputeti Ilhan Kyuchyuk, ka publikuar në Twitter dokumentin me nënshkrimet e deputetëve.
“Së bashku me Viola von Cramon (raportuesen e Kosovës në Parlamentin Evropian) dhe kolegët e tjerë, kemi dërguar një letër tek (kancelarja) Angela Merkel me kërkesën për të vendosur në agjendë të presidencës gjermane të Këshillit Evropian çështjen e tej-zgjatur të liberalizimit të vizave për Kosovën”, shkruan Kyuchyuk.
Duke nisur nga 1 korriku, Gjermania pritet të marrë udhëheqjen e Këshillit Europian. Sipas eurodeputetëve, Kosova i ka përmbushur kriteret e kërkuara dhe tash i takon BE-së që të përmbushë pjesën e saj të obligimit.
“Ne po humbim kredibilitetin tonë kur një shtet i tretë e bën atë që ne kërkojmë nga ta, por nuk marrin avantazhin të cilin ua kemi premtuar. Si mund të kërkojmë çfarëdo reforme tjetër nga një shtet në fqinjësinë tonë, kur ata nuk mund të jenë të sigurtë se do të përfitojnë çfarëdo nga puna e tyre. Integrimi Evropian nuk është domosdo operacioni i vetëm i shteteve në rajon. Ku do ti çojë rruga e tyre nëse jo në BE?”– shkruajnë ata.





