Harvey Weinstein, ish-prodhuesi i filmave në Hollywood i dënuar për krime seksuale, ka treguar për përvojën e tij të burgosjes në Rikers Island gjatë një interviste ekskluzive për Hollywood Reporter.

Ai e priti gazetarin në një dhomë zakonisht të përdorur për takime brenda burgut të New York-ut, teksa u shfaq i dobësuar, më i zbehtë dhe më i plakur sesa kishte qenë më herët. Weinstein, i ulur në një karrige me rrota të sjellë nga një roje e burgut, kishte veshur një kostum të verdhë, që i ngjante ngjyrës së dhomës.

Në janar, Hollywood Reporter u fut për herë të parë në Rikers Island për të intervistuar Weinstein “ballë për ballë” që nga fillimi i burgosjes së tij. Më 23 shkurt 2023, ai u dënua me 16 vjet burg, pas një serie skandalesh të zbuluara në vitin 2017 nga New York Times dhe New Yorker, të cilat ekspozuan historinë e tij të ngacmimeve dhe abuzimeve seksuale ndaj disa aktoreve, duke bërë që të aktivizohet lëvizja #MeToo. Rreth njëqind gra më pas e denoncuan publikisht.

Weinstein jeton i izoluar në njësinë mjekësore të burgut, për shkak të kancerit të palcës kockore, diabetit dhe një operacioni në zemër. Ai përshkruan jetën e tij si të kaluar kryesisht mbyllur brenda qelisë, me vetëm 16-18 minuta çdo tri orë për të përdorur telefonin, e cila është lidhja e tij e vetme me botën jashtë.

Ai flet rregullisht me tre fëmijët e tij, si dhe me avokatët dhe disa miq. Weinstein tregon për dhunën në qeli. Një herë një burrë e goditi në fytyrë. “Isha i gjakosur, por nuk mund të tregoja se kush e bëri. Nuk mund të jesh spiun, është ligji i xhunglës”, thotë ai. Për të kaluar kohën, ai lexon klasiket e Hemingway-t dhe Fitzgerald-it dhe kujton filmat që ka prodhuar, duke shprehur nostalgji për veprat e Tarantino-s si “Pulp Fiction”.

Ai shpreh frikën e tij se mund të vdesë në burg. “Do të ishte një fund mizor. Kam jetuar një jetë të jashtëzakonshme. Do të bëj 74 vjeç në mars. Nuk dua të vdes këtu.”

Kur pyetet për Jeffrey Epstein, Weinstein mohon njohjen me të dhe pohon se nuk ka lidhje me krimet e Epstein. Ai përsëri kërkon të minimizojë përgjegjësinë e tij, duke thënë se shumë gra akuzuese e bënë për para dhe se nuk ka ngacmuar seksualisht askënd. Megjithatë, ai shpreh pendesë të pjesshme. “Më vjen keq. Nuk duhet të isha marrë me to që në fillim”.

Ky rrëfim i gjatë ofron një pasqyrë të brendshme mbi jetën e Harvey Weinstein-it në burg dhe përpjekjet e tij për të mbajtur lidhjet me familjen, ndërkohë që përballet me pasojat ligjore të veprimeve të tij në të kaluarën.