Emir Sahiti mund të mbyllë para kohe aventurën e tij të nisur në janar në radhët e klubit të Makabi Tel Aviv në Izrael. Ish-sulmuesi i Shpresave, i cili tashmë përfaqëson Kosovën, është “arratisur” bashkë me familjen e tij nga Izraeli pas shpërthimit të luftës në Iran që ka kthyer edhe vendin ku ai aktivizohej në një objektiv bombardimesh.
Futbollisti i cili është nën kontratë me Hamburgun, u dha huazim me të drejtë blerje nga klubi gjerman tek ai izraelit në merkaton e dimrit dhe po bënte shumë mirë atje, duke shënuar 4 gola në 5 ndeshjet e tij të para zyrtare. Dukej si lëvizja e duhur e karrierës dhe Makabi Tel Aviv që tani po mendonte të ushtronte të drejtën e aktivizimit të klauzolës për ta blerë lojtarin për 500 mijë euro, sipas akordit mes palëve.
Por shpërthimi i luftës dhe sulmet në territorin izraelit me dronë dhe raketa nga ana e Iranit si kundërpërgjigje e bombardimeve izraelite, kanë shtyrë Sahitin që të marrë vendimin që të largohet. Bëhet e ditur se lojtari ka udhëtuar me makinë me gruan dhe vajzën e tij të vogël deri në Egjipt. Prej atje, ai kishte udhëtuar drejt Qipros e më pas në Kroaci, ku ka shtëpinë në qytetin e Splitit.
Futbollisti po ndjek një fazë stërvitore të veçantë për t’u mbajtur në formë duke monitoruar situatën në Lindjen e Mesme, por kthimi në aktivitet së shpejti duket pak i mundshëm pasi për shkak të çështjeve të sigurisë, janë pezulluar të gjitha aktivitetet sportive në Izrael. Kjo vë në dyshim edhe mundësinë e tij të vazhdimit me Makabi Tel Aviv dhe ndoshta do të detyrojë sulmuesin të kërkojë një sistemim tjetër në verë.





