Nga Klevi Elezi
Zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme po sinjalizojnë një përshkallëzim që rrezikon të godasë jo vetëm rajonin, por të gjithë ekonominë globale. Ngushtica e Ngushtica e Hormuzit, një nga arteriet më të rëndësishme të furnizimit me naftë në botë, ndodhet sot nën një presion të paprecedentë, ndërsa kërcënimi për destabilizim është më real se kurrë.
Rreth një e pesta e naftës globale kalon përmes këtij korridori strategjik. Çdo ndërprerje, qoftë edhe e pjesshme, përkthehet menjëherë në rritje çmimesh, panik në tregje dhe pasiguri në zinxhirët e furnizimit. Sot, nuk kemi një mbyllje totale të deklaruar, por kemi diçka më të rrezikshme: një bllokim de facto, ku frika dhe sulmet sporadike po bëjnë atë që një vendim zyrtar nuk e ka bërë ende.
Në këtë ekuacion të brishtë hyn edhe Ngushtica Bab el-Mandeb, porta hyrëse e Detit të Kuq. Edhe pse nuk është mbyllur, kërcënimet nga grupet e armatosura në Jemeni e kthejnë këtë zonë në një pikë shpërthimi të mundshëm. Nëse ky korridor goditet, ndikimi nuk do të jetë vetëm rajonal, por global, duke prekur drejtpërdrejt tregtinë mes Azisë dhe Europës.
Ajo që bie në sy në këtë krizë është fakti se përllogaritjet strategjike të aktorëve kryesorë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli, duket se nuk kanë marrë parasysh plotësisht efektin zinxhir që mund të prodhojë një përplasje e zgjatur. Lufta nuk po zhvillohet më vetëm në terren ushtarak, por në arteriet ekonomike të globit.
Europa, edhe pse më pak e varur se në të kaluarën, mbetet e ekspozuar. Një rritje e zgjatur e çmimeve të energjisë, e kombinuar me kosto më të larta transporti, mund të çojë në një ngadalësim të ndjeshëm ekonomik. Kriza nuk do të vijë si një goditje e menjëhershme, por si një erozion i vazhdueshëm që prek industrinë, tregtinë dhe konsumatorin e zakonshëm.
Në këtë fazë, është e rëndësishme të dallojmë mes realitetit dhe propagandës. Ngushticat nuk janë mbyllur plotësisht, por janë kthyer në zona rreziku ku çdo incident mund të ndezë një krizë të pakontrollueshme. Dhe pikërisht kjo paqartësi është elementi më destabilizues.
Nëse situata përshkallëzohet më tej dhe përfshihen aktorë të tjerë rajonalë, atëherë bota mund të përballet me një nga krizat më të mëdha energjetike të dekadave të fundit. Në këtë skenar, pasojat nuk do të maten vetëm me çmimin e naftës, por me stabilitetin ekonomik dhe politik të shumë vendeve.
Lufta, siç duket, nuk po bëhet më për territore. Ajo po bëhet për kontrollin e rrugëve që mbajnë gjallë ekonominë botërore.





