Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, përcolli të martën (17 mars) një mesazh me disa adresime, duke theksuar se Izraeli “po i jep shpresë popullit iranian dhe po ndihmon miqtë amerikanë në Gjirin Persik”.
“Po minojmë regjimin me shpresën për t’i dhënë popullit mundësinë ta rrëzojë atë,” deklaroi Netanyahu, duke shtuar se ky proces “nuk do të ndodhë menjëherë dhe nuk do të jetë i lehtë”. Sipas tij, “nëse qëndrojmë të vendosur, do t’u japim mundësinë të marrin fatin në duart e tyre”.
Ai theksoi gjithashtu bashkëpunimin me aleatët amerikanë në rajon: “Po ndihmojmë aleatët tanë amerikanë në Gjirin Persik. Do të kontribuojmë si në mënyrë të tërthortë, ashtu edhe me veprime të drejtpërdrejta dhe ka ende shumë surpriza përpara”.
Në video të regjistruara më herët, Netanyahu e përshkroi Ali Larijani si “udhëheqës të Gardës Revolucionare, një grup që, sipas tij, në realitet drejton Iranin”.
Ai akuzoi gjithashtu komandantin e Basij-it, Gholamreza Soleimani, si një nga bashkëpunëtorët që “kanë përhapur terror në rrugët e Teheranit dhe qyteteve të tjera kundër vetë popullsisë”.
Kryeministri izraelit bëri të ditur se një ditë më parë kishte zhvilluar bisedë me presidentin amerikan Donald Trump lidhur me koordinimin me aleatët në Gjirin Persik.
“Ekziston bashkëpunim mes forcave tona ajrore dhe detare, si dhe në nivel drejtues mes meje, presidentit Trump dhe ekipit të tij. Do të veprojmë si përmes presionit indirekt ndaj regjimit iranian, ashtu edhe me operacione të drejtpërdrejta,” përfundoi Netanyahu.





