Autoritetet çeke kanë nisur një hetim lidhur me një zjarr që shpërtheu në orët e para të mëngjesit të djeshëm, 20 mars, në një depo të një kompanie që prodhon dronë dhe pajisje ushtarake, përfshirë një raketë të re lundruese që, sipas raportimeve, ishte planifikuar të testohej në luftimet në Ukrainë gjatë këtij viti.

Zyrtarët thanë se zjarri, i cili shpërtheu në një ndërtesë në pronësi të prodhuesit të armëve LPP Holding në qytetin Pardubice, rreth 100 kilometra në lindje të Pragës, dyshohet të jetë i qëllimshëm dhe rasti po trajtohet si sulm terrorist.

Një grup që e quan veten “Earthquake Faction” mori përgjegjësinë përmes Telegramit duke e përshkruar objektin si një “qendër kyçe prodhimi” për armë izraelite dhe duke e lidhur atë me atë që e cilësoi si “gjenocid ndaj Palestinës, Iranit dhe Libanit”.

Megjithatë, media çeke Seznam Zpravy, duke cituar burime anonime, raportoi se autoritetet po shqyrtojnë edhe mundësinë që ngjarja të jetë një operacion i rremë, dhe se “Earthquake Faction”, për të cilin thuhet se nuk ka gjurmë të verifikueshme, mund të jetë një mbulim për një aktor tjetër ose për një aktor shtetëror.

Ministri i Brendshëm, Lubomír Metnar, tha në një postim në X se autoritetet po shqyrtojnë të gjitha informacionet e disponueshme dhe se ekziston mundësia e një lidhjeje me një sulm terrorist.

Kryeministri Andrej Babiš deklaroi gjithashtu se ngjarja po trajtohet si akt terrorizmi, ndërsa presidenti Petr Pavel theksoi rëndësinë e pritjes së rezultateve të hetimit.

Shefi i policisë kombëtare, Martin Vondrášek, tha se pak pas raportimit të zjarrit rreth orës 04:00, disa gazetarë çekë morën mesazhe nga një adresë e regjistruar në të njëjtin domen me faqen e “Earthquake Faction”.

Në një deklaratë, kompania LPP Holding konfirmoi se një zjarr kishte ndodhur në një nga objektet e saj, duke shtuar se nuk do të spekulonte mbi shkaqet apo rrethanat e ngjarjes. Kompania gjithashtu bëri të ditur se nuk pati të lënduar.

Mediumi çek Aktualne citoi një përfaqësues të LPP Holding që tha se bashkëpunimi i planifikuar në vitin 2023 me kompaninë izraelite Elbit Systems nuk u realizua për shkak të anulimit të një tenderi, dhe se LPP nuk ka prodhuar kurrë dronë izraelitë.

Sipas artikujve në faqen zyrtare të LPP-së, kompania ka prodhuar dronë që janë përdorur nga ushtria ukrainase në mbrojtjen kundër pushtimit rus, i cili vijon prej disa vitesh.

Në dhjetor, media Aktualne raportoi se testimi luftarak i një rakete të re lundruese të prodhuar nga LPP, me një rreze veprimi deri në 680 kilometra dhe të quajtur “Narwhal”, ishte planifikuar të zhvillohej në Ukrainë gjatë janar-shkurtit të këtij viti, me mundësinë që prodhimi serik të niste më pas./Marrë nga REL