Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se janë shumë afër arritjes së objektivave në Lindjen e Mesme.
Përmes një postimi në Truth Social, Trump shkroi se po shqyrtojnë përfundimin e përpjekjeve ushtarake në lidhje me regjimin e Iranit.
“Po i afrohemi shumë arritjes së objektivave tona, ndërsa po shqyrtojmë përfundimin e përpjekjeve tona të mëdha ushtarake në Lindjen e Mesme në lidhje me regjimin terrorist të Iranit:
-Degradimin e plotë të aftësisë së raketave iraniane, lëshuesve dhe gjithçkaje tjetër që lidhet me to.
-Shkatërrimin e bazës industriale mbrojtëse të Iranit.
-Eliminimin e Marinës dhe Forcave të tyre Ajrore, duke përfshirë edhe armët kundërajrore.
-Moslejimin kurrë të Iranit që t’i afrohet aftësisë bërthamore dhe gjithmonë të qenit në një pozicion ku
-SHBA-të mund të reagojnë shpejt dhe fuqishëm ndaj një situate të tillë, nëse ndodh.
-Mbrojtjen, në nivelin më të lartë, të aleatëve tanë të Lindjes së Mesme, duke përfshirë Izraelin, Arabinë Saudite, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin, Kuvajtin dhe të tjerë”, tha Donald Trump.
Sa i përket Ngushticës së Hormuzit, Trump theksoi se ajo duhet të ruhet nga vende të tjera që edhe e përdorin. Megjithatë, ai la të hapur mundësinë e mbështetjes amerikane nëse kërkohet nga shtetet e tjera.
“Ngushtica e Hormuzit do të duhet të ruhet dhe të mbikëqyret nga kombe të tjera që e përdorin atë. Shtetet e Bashkuara nuk e bëjnë! Nëse na kërkohet, ne do t’i ndihmojmë këto vende në përpjekjet e tyre për Hormuzin, por kjo nuk duhet të jetë e nevojshme pasi kërcënimi i Iranit të zhduket. Është e rëndësishme të theksohet se do të jetë një operacion ushtarak i lehtë për ta”, shtoi Trump.
Zyrtarët e administratës Trump po bëjnë përpjekje për të siguruar çdo fuçi nafte të disponueshme, ndërkohë që po ndihen efektet e para të një krize energjetike, edhe nëse kjo do të thotë heqje e sanksioneve ndaj vendit kundër të cilit po luftojnë. CNN raporton se tre javë pas fillimit të luftës me Iranin, administratës po i mbarojnë opsionet për të frenuar çmimin marramendës të naftës dhe gazit.
Administrata Trump ka rënë dakord tashmë të lirojë qindra miliona fuçi nga rezervat e saj strategjike, ka lehtësuar disa sanksione ndaj naftës ruse dhe ka ndërmarrë hapa brenda vendit për të përshpejtuar flukset e naftës bruto në të gjithë SHBA-ve. Megjithatë, këto veprime kanë bërë pak për të ngadalësuar rritjen e çmimeve në të gjithë botën.
SHBA ka hequr përkohësisht sanksionet mbi fuçitë e naftës iraniane që aktualisht janë në det, një veprim që do t’u lejojë aleatëve që kanë nevojë të madhe për furnizim t’i blejnë ato.
Zyrtarët e Trump kanë thënë për median amerikane se çmimet më të larta të shkaktuara nga lufta mund të zgjasin për muaj të tërë, veçanërisht ndërsa luftimet në Lindjen e Mesme intensifikohen dhe kalimi nëpër Ngushticën e Hormuzit mbetet pothuajse i pamundur.





