Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, IEA, ka bërë thirrje për masa të menjëhershme për të ulur përdorimin e karburanteve, pas krizës së shkaktuar nga konflikti në Iran.

Sipas saj, transporti përbën rreth 45% të konsumit global të naftës, e për këtë arsye, fokusi në këtë sektor mund të ketë ndikim të shpejtë. Edhe ndryshime të vogla në sjelljen e njerëzve mund të sjellin përfitime të menjëhershme, përfshirë kufizime të shpejtësisë, punë nga shtëpia dhe ulje të numrit të fluturimeve, thuhet në njoftim.

Përdorimi më i madh te transporti publik gjithashtu mund të ulë ndjeshëm konsumin e karburantit, sipas IEA, që nënvizon po kështu se edhe kufizimi i shpejtësisë në autostrada do të reduktonte përdorimin e karburantit, ndërsa sugjeron për më shumë punë nga shtëpia e më pak fluturime. Kufizimet e qarkullimit të makinave në qytete, si alternimi i targave çift dhe tek, mund të ndihmojnë gjithashtu duke lehtësuar trafikun dhe mbingarkesën.

Agjencia rekomandon masa të drejtuara dhe efikase, dhe jo subvencione të gjera shtetërore, të cilat sipas përvojave të mëparshme nuk janë gjithmonë efikase gjatë krizave. Sipas IEA-s, disa vende anëtare kanë filluar të përdorin rezervat e tyre strategjike të naftës.

Një javë më parë, organizata vendosi të hedhë në treg 426 milionë fuçi naftë nga rezervat e emergjencës për të frenuar rritjen e çmimeve pas luftës në Lindjen e Mesme.