Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj ka paralajmëruar mundësinë e fillimit të testimeve masive për Covid-19.
Gjatë një vizitë në komunën e Prishtinës, Zemaj tha se institucionet janë duke e vlerësuar situatën me pandeminë dhe se janë duke punuar në një strategji anti-COVID-19.
“Jemi duke e vlerësuar situatën që të kalojmë edhe në testime masive. Ne kemi formuar edhe grup ekspertesh brenda ministrisë i cili do të adresohet shumë shpejt me rekomandime të qarta edhe për testimet dhe për strategjinë e re anti-covid”, tha Zemaj.
Pas takimit që zhvilloi me kryetarin e Komunës, Shpend Ahmetin, Zemaj deklaroi se “mund të ketë një valë të dytë të virusit COVID-19, në vjeshtë”.
“Eventualisht mund të ketë edhe një valë të dytë në shtator ose tetor, por ne duhet të jemi të gjithë të përgatitur, të gjitha institucionet tona dhe ky është qëllimi i ministrisë së Shëndetësisë”, tha Zemaj.





