Më e keqja mund të mos ketë ardhur ende për ish-Princin Andrew. I ‘zhveshur’ nga roli i tij institucional dhe gjithnjë e më i izoluar edhe brenda familjes mbretërore të udhëhequr nga Mbreti Charles III, ish-Duka i Jorkut është përsëri në qendër të akuzave të reja dhe serioze që lidhen me çështjen Jeffrey Epstein.
Vëmendja është rikthyer nga dëshmia 43-vjeçares Johanna Sjoberg, e cila deklaroi se Andrew kreu një “akt seksual” me të në vitin 2001, brenda rezidencës së Epstein në New York në Manhattan. Kjo akuzë, nëse konfirmohet në gjykatë, rrezikon ta përkeqësojë më tej situatën e ish-princit, i cili tashmë është përfshirë në skandale dhe transaksione multi-milionëshe vitet e fundit.
Pesha e dëshmisë së Sjoberg nuk qëndron vetëm në rëndësinë e fakteve të pretenduara, por mbi të gjitha në përputhshmërinë e saj me rrëfimin e Virginia Giuffre, akuzueses kryesore të Andreas në rrjetin e gjerë të abuzimit të orkestruar nga Epstein.
Giuffre, e cila kreu vetëvrasje në vitin 2025 në Australi, pretendoi se kishte pasur marrëdhënie seksuale me anëtarin e familjes mbretërore kur ajo ishte ende e mitur.
Rezulton se të dy gratë ishin të pranishme në të njëjtat kontekste dhe në të njëjten kohë, një faktor që mund të forconte argumentet e prokurorisë.
Ndërkohë, policia britanike thuhet se po vlerëson një “gamë të gjerë akuzash seksuale” që lidhen me marrëdhënien e Andrew me Epstein. Sipas raportimeve, një akuzues i dytë ka kërkuar zyrtarisht një seancë dëgjimore, një shenjë se çështja mund të zgjerohet më tej.
Imazhi i ish-dukës duket se po kompromentohet gjithnjë e më shumë, madje edhe publikisht. I parë së fundmi në Sandringham, Andrew është rishfaqur pas javësh heshtjeje pas arrestimit të tij në shkurt për një çështje të veçantë, që lidhet me ndarjen e dyshuar të informacionit konfidencial gjatë rolit të tij si korrespondent tregtar.





