Një tërmet i fuqishëm me magnitude 7.6 ballë goditi të martën në mbrëmje Tonga-n në Oqeanin Paqësor, duke shkaktuar panik dhe evakuime në zonat bregdetare, por pa raportime fillestare për dëme apo viktima.

Tërmeti ndodhi në një thellësi rreth 237 kilometra nën sipërfaqen e tokës. Tërmetet në thellësi të mëdha zakonisht ndihen më pak në sipërfaqe dhe kanë më pak potencial për dëme të mëdha, krahasuar me ato të cekëta.

Epiqendra e lëkundjes u regjistrua në det, rreth 153 kilometra në perëndim të Neiafu-s, qyteti i dytë më i madh në vend, pranë grupit të ishujve Vava’u. Banorët raportuan se ndërtesat u lëkundën fort për disa sekonda, por deri tani nuk ka konfirmime për dëme serioze infrastrukturore.

Autoritetet e menaxhimit të emergjencave në Tonga u bënë thirrje qytetarëve që jetojnë në zona fushore të zhvendosen menjëherë drejt zonave më malore ose në brendësi të ishujve. Gjithashtu, u kërkua shmangia e plazheve dhe vijës bregdetare deri në një njoftim zyrtar për sigurinë.

Nga ana tjetër, Pacific Tsunami Warning Center konfirmoi se nuk ka rrezik për tsunam në rajon, duke theksuar se tërmeti ishte “shumë i thellë” për të gjeneruar valë të rrezikshme detare. Edhe autoritetet në Zelandën e Re njoftuan se nuk ekziston kërcënim për brigjet e tyre.

Tonga është një arkipelag me rreth 171 ishuj dhe mbi 100 mijë banorë, shumica e të cilëve jetojnë në ishullin kryesor Tongatapu. Vendi ndodhet në zone të njohur për aktivitet të lartë sizmik dhe vullkanik, ku ndodhin shpesh tërmete.

Kujtojmë se në vitin 2022, një shpërthim i fuqishëm vullkanik në këtë rajon shkaktoi një tsunami, që mori jetën e tre personave dhe shkaktoi dëme të konsiderueshme.