Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, ka bërë thirrje për nisjen sa më të shpejtë të bisedimeve të paqes gjatë një telefonate me homologun e tij nga Irani, Abbas Araghchi.

Sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme kineze, Wang theksoi se dialogu është rruga më e mirë për zgjidhjen e krizave, duke nënvizuar se “të gjitha çështjet duhet të zgjidhen përmes negociatave dhe jo përmes përdorimit të forcës”.

Nga ana tjetër, Araghchi konfirmoi angazhimin e Iranit për një zgjidhje gjithëpërfshirëse të konfliktit, duke theksuar se synimi nuk është vetëm një armëpushim i përkohshëm. Ai gjithashtu falënderoi Kinën për ndihmën humanitare të ofruar.

Telefonata, sipas deklaratës zyrtare, u zhvillua me kërkesë të palës iraniane. Kina mbetet një partnere e rëndësishme e Iranit, megjithatë ka shprehur kundërshtimin ndaj sulmeve të Teheranit ndaj vendeve të Gjirit që strehojnë baza amerikane dhe ka bërë thirrje për armëpushim.