Presidenti amerikan Donald Trump këmbëngul se janë zhvilluar “negociata produktive” me Iranin për t’i dhënë fund luftës që ai nisi së bashku me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu rreth një muaj më parë. Megjithatë, kjo bie ndesh me deklaratat e vazhdueshme të zyrtarëve të lartë iranianë, të cilët e mohojnë këtë.
Në mes të pasigurisë dhe propagandës nga të gjitha palët, është e vështirë të dihet e vërteta.
Por analiza e asaj që secila palë ka për të fituar nga negociatat dhe nga një përfundim i mundshëm i konfliktit mund të ndihmojë në sqarimin e situatës.
Deklaratat e Trump për “pika të mëdha marrëveshjeje” dhe për “bisedime shumë të mira” vijnë në një moment të ndjeshëm për tregjet, duke përkuar edhe me luhatjet e çmimeve të naftës që kanë arritur deri në rreth 120 dollarë për fuçi. Afati 5-ditor që ai i vendosi Iranit për një përgjigje pozitive përkon gjithashtu me fundin e javës së tregtimit, çka ka ngritur dyshime për ndikimin në tregje.
Disa kritikë sugjerojnë se këto deklarata mund të lidhen edhe me nevojën për të fituar kohë, ndërsa SHBA-të mund të përgatiten për të dërguar më shumë trupa në Lindjen e Mesme, në rast të një përshkallëzimi të mëtejshëm.
Nga ana iraniane, zyrtarë të lartë kanë hedhur poshtë kategorikisht çdo negociatë.
Kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë bisedë me SHBA-të dhe se lajmet për negociata janë “lajme të rreme” që synojnë të manipulojnë tregjet dhe të shmangin bllokimin ku ndodhen SHBA-të dhe Izraeli.
Të dyja palët duket se kanë interesa të ndryshme: SHBA-të mund të përfitojnë nga qetësimi i tregjeve dhe ulja e çmimeve të energjisë, ndërsa Irani mund të përfitojë nga ndikimi negativ që lufta ka mbi ekonominë amerikane dhe globale, si një formë presioni…
Nga perspektiva amerikane, Trump po përballet me koston ekonomike dhe politike të konfliktit, përfshirë rritjen e çmimeve të karburanteve dhe ndikimin në opinionin publik, veçanërisht në prag të zgjedhjeve. Fundi i luftës do të sillte edhe ‘boom’ kritikash se Trump dështoi për të përmbushur objektivat e deklaruara.
Në anën tjetër, Irani duket se ka më pak interes për t’i dhënë fund luftës pa një garanci të qartë se nuk do të ketë sulme të reja në të ardhmen. Konflikti po vazhdon me një qasje më agresive, dhe disa në Iran besojnë se është momenti për të vazhduar presionin ndaj kundërshtarëve.
Megjithatë, edhe Irani po përballet me pasoja të rënda: mbi 1 500 viktima, dëme të mëdha në infrastrukturë dhe përkeqësim të marrëdhënieve me vendet e rajonit. Këto zhvillime mund të shtyjnë disa zëra më të moderuar brenda vendit drejt një zgjidhjeje me negociata.
Në këtë kontekst, e ardhmja e konfliktit mbetet e pasigurt, ndërsa çdo vendim për bisedime apo përshkallëzim do të varet nga balanca mes interesave politike, ushtarake dhe ekonomike të palëve të përfshira.





