Kremlini e përshkroi sot si “gënjeshtra” një artikull në Financial Times (FT) sipas të cilit Rusia po i dërgon dronë Iranit, ndërsa lufta është duke u zhvilluar në Lindjen e Mesme.
“Ka vërtet shumë gënjeshtra në media. Dhe madje as mediat më serioze nuk turpërohen t’i publikojnë ato”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Një aleate e vjetër e Iranit, Rusia denoncon sulmet e nisura kundër vendit nga Izraeli dhe SHBA-të që nga fundi i shkurtit dhe mbështet një zgjidhje “politike”. Moska nuk ka njoftuar zyrtarisht se po i ofron ndonjë ndihmë specifike Iranit që nga fillimi i luftës, përveç ndihmës humanitare.
Por shumë media amerikane kanë thënë se Moska ndau informacione të inteligjencës ushtarake me Teheranin për të nisur sulmet e saj në Lindjen e Mesme. Në përgjigje të sulmeve masive nga SHBA-të dhe Izraeli, Teherani sulmoi bazat amerikane në disa vende të Gjirit.
Për më tepër, Dmitry Peskov hodhi poshtë një artikull opinioni të gazetës amerikane New York Times, sipas të cilit Presidenti Vladimir Putin nuk dëshiron më paqe në Ukrainë, duke e përshkruar atë si të rremë.
“Është një trillim krejtësisht i rremë që nuk korrespondon me realitetin. Gjatë bisedimeve trepalëshe që janë zhvilluar, është arritur njëfarë progresi drejt një zgjidhjeje”, tha Peskov.
Zëdhënësi i Kremlinit tha se Rusia nuk e kishte humbur interesin në bisedimet e paqes, por shtoi se çështjet kryesore, përfshirë ato territorial, nuk ishin zgjidhur ende.
Më herët këtë javë, këshilltari i Kremlinit, Yuri Ushakov, tha se SHBA-të e kishin informuar Rusinë rreth raundit të fundit të bisedimeve me një delegacion ukrainas në Florida, i cili u zhvillua të shtunën e kaluar.
Bisedimet e fundit trepalëshe për paqe midis Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së u zhvilluan muajin e kaluar, përpara se SHBA-të dhe Izraeli të nisnin sulme ajrore kundër Iranit më 28 shkurt.
Ndërkohë, i dërguari special i presidentit rus, Kirill Dmitriev, tha se Rusia ka informuar SHBA-në rreth sulmeve të fundit me dronë ukrainasë ndaj infrastrukturës energjetike ruse.
Dmitriev shtoi se Ukraina po përpiqet të përkeqësojë krizën globale energjetike përmes sulmeve të tilla.





