Sonte qielli do të ofrojë një pamje të veçantë për të gjithë ata që duan të shohin yjet: “Hëna Rozë”, Hëna e plotë e muajit prill, sipas “Io Donna”.

Megjithëse emri mund t’ju bëjë të mendoni ndryshe, Hëna nuk do të jetë rozë.

Ajo quhet kështu për shkak të një luleje pranverore në Amerikën e Veriut, “Phlox subulata”, e cila çel në këtë periudhë dhe ka nuanca rozë.

Emri lidhet me natyrën dhe stinën, jo me ngjyrën reale të Hënës.

Kjo Hënë e plotë njihet edhe si “Hëna e Pashkëve”, sepse përdoret për të përcaktuar datën e festës së Pashkëve.

Sipas traditës, Pashkët festohen të dielën pas Hënës së plotë.

Nga ana astronomike, fenomeni është një Hënë e zakonshme e plotë, por bëhet më interesante për t’u parë kur është pranë horizontit.

Në ato momente, ajo mund të marrë ngjyra të ngrohta portokalli ose të arta, duke krijuar një pamje shumë të bukur.

Kulmi i këtij fenomeni pritet rreth orës 04:11 të mëngjesit, por Hëna do të jetë e dukshme gjatë gjithë natës.

Mjafton që qielli të jetë i pastër për ta shijuar më mirë. Ky është një nga momentet më të bukura të pranverës për të ngritur sytë nga qielli dhe për të shijuar një spektakël natyror që përsëritet çdo vit.