Policia e Shkodrës ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar të plagosjes së dy të rinjve, ngjarje e ndodhur në qendër të qytetit mbrëmjen e kaluar.
Të plagosur mbetën Enis Preza, 19 vjeç, dhe një 17-vjeçar tjetër, të dy jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, efektivët kanë arrestuar një shtetas tjetër, i cili dyshohet se është përfshirë në konflikt, por sipas burimeve nuk është autori i plagosjes.
Në pranga ka rënë shtetasi Nikson Kodra, 25 vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg” në Shkodër. Ai dyshohet se është konfliktuar në mënyrë rastësore me dy të plagosurit, ndërsa arrestimi i tij është bërë pasi policia i ka gjetur drogë në banesë dhe një armë të ftohtë (thikë) në çantë. Sipas hetimeve paraprake, ai nuk është personi që ka plagosur dy të rinjtë.
Konflikti ka nisur një ditë më parë mes dy të plagosurve dhe autorit të shpallur në kërkim.
Të rinjtë mbrëmjen e djeshme kishin lënë një vendtakim për t’u sqaruar, por takimi përfundoi me përleshje fizike dhe plagosjen e tyre. Policia e Shkodrës vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorit të dyshuar.





