Policia greke ka vënë në pranga një shtetas shqiptar të cilësuar si mjaft i rrezikshëm, i cili ishte përfshirë në një arratisje spektakolare nga Athina në vitin 2019.

Operacioni u zhvillua nga strukturat e sigurisë në Agrinio dhe njësia speciale OPKE në zonën e Thermos, në rajonin e Etoloakarnanisë.

Sipas mediave greke, i arrestuari kishte marrë pjesë në arratisjen e ndodhur në qershor 2019 nga sektori i transferimeve të të burgosurve në Athinë, së bashku me tre bashkëkombës të tjerë. Gjatë asaj ngjarjeje, ata kishin kërcënuar policët me mjete të improvizuara prerëse dhe armë, kishin marrë nën kontroll një automjet policie dhe gjatë largimit kishin qëlluar disa herë ndaj efektivëve, fatmirësisht pa shkaktuar të lënduar.

Më pas, ai ishte arrestuar pas një ndjekjeje në këmbë në zonën e Rendisë dhe ishte rikthyer në burg, ku edhe ishte dënuar. Megjithatë, gjatë një lejeje të përfituar nga burgu, ai kishte vendosur të mos kthehej më.

Së fundmi, në bashkëpunim me dy burra dhe një grua, i dyshuari kishte tentuar të kryente një grabitje të dielën (5 prill) në zonën e Thermos. Ata i kishin zënë pritë një personi jashtë banesës së tij dhe e kishin sulmuar, por plani dështoi pasi viktima nisi të bërtiste, duke alarmuar banorët e zonës.

Autorët më pas qëlluan në ajër me armë automatike të tipit kallashnikov dhe u larguan me shpejtësi.

Pas hetimeve intensive, policia arriti të identifikojë automjetin dhe apartamentin e marrë me qira përmes Airbnb, ku qëndronin të dyshuarit. Gjatë operacionit u bë arrestimi i tyre.

Mes të ndaluarve ndodhen edhe dy shtetas shqiptarë të tjerë, të cilët në fillim të janarit 2025 ishin arratisur nga burgu bujqësor i Kassavetias.

Gjatë kontrollit në banesën e marrë me qira, policia sekuestroi një pushkë luftarake me qytë të palosshëm, dy karikatorë të lidhur me shirit izolues dhe gjithsej 57 fishekë të kalibrit 7.62 mm.