Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur fajtor deputetin demokrat Bardh Spahia për veprën penale “pengim i ekzekutimit të vendimit të gjykatës”.
Spahia është dënuar me 100 mijë lekë gjobë. Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme (SPAK) kishte kërkuar një dënim më të lartë, prej 700 mijë lekësh gjobë.
Sipas vendimit të shpallur nga gjyqtarja Rudina Palloj, gjoba duhet të paguhet brenda gjashtë muajve nga momenti që vendimi merr formë të prerë.
Organi i akuzës pretendon se Spahia ka penguar ekzekutimin e një vendimi të formës së prerë të gjykatës.
Prokuroria bëri të ditur se gjatë kohës kur ishte kryebashkiak, Spahia shkarkoi nga detyra drejtorin e Ujësjellësit, Mark Molla, dhe në vend të tij emëroi Arvit Bushatin.
Megjithatë, sipas SPAK, gjykata kishte vendosur rikthimin në detyrë të Mark Mollës si drejtor i Ujësjellësit. Prokuroria pretendon se ky vendim nuk u zbatua nga Spahia, duke çuar në akuzën për “pengim të ekzekutimit të vendimit gjyqësor”.





