Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur fajtorë dhe dënuar tre persona, të cilët u morën të pandehur për ndikim të paligjshëm në kuadër të operacionit të koduar “Ura”, që u zhvillua në maj të vitit të kaluar nga Prokuroria e Posaçme.

Edison Çukaj alias Gjoka u shpall fajtor për veprën penale të ushtrimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike dhe u dënua me 1 vit e 6 muaj burg. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, ai u dënua me 1 vit burg.  Por për shkak se kohëzgjatja e paraburgimit të kryer është më e madhe se masa e dënimit, gjykata urdhëroi heqjen e masës së arrestit në burg.

Ervis Deti u dënua për të njëjtën vepër penale me dy vite burg, dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, ai do të bëjë 1 vit e 4 muaj burg.

Edhe Bexhed Mema u dënua me 2 vite burg për të njëjtën vepër penale, por iu ul në 1 vit e 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Në përfundim, gjykata urdhëroi pezullimin e ekzekutimit të vendimit me burg, por do të duhe që të bëjë shërbim prove për të paktën  2 vjet e 8 muaj burg.

NJOFTIMI I PLOTE: 

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 36/3, të vitit 2025, në ngarkim të të pandehurve Edison Cukaj(Gjoka), Ervis Deti dhe Bexhed Mema”.

2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Bib Ndreca, Engjëllushe Tahiri dhe Elsa Ulliri, me vendimin nr. 35, datë 27.04.2026 vendosi:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Edison Çukaj alias Gjoka, për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i dytë të Kodit Penal, dhe dënimim e tij me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.

2. Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar i pandehuri përfundimisht me 1 (një) vit burgim.

3. Në bazë të neneve 261/1/c dhe 389 të K.Pr.Penale, përshkak se kohëzgjatja e paraburgimit të vuajtur është më e madhe se masa e dënimit të caktuar, urdhërohet heqja e masës së sigurimit “Arrest në burg” caktuar me vendimin Nr. 34 datë 30.04.2025, të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nëse nuk mbahet për ndonjë masë tjetër sigurimi apo dënim penal të pavuajtur.

4. Deklarimin fajtor të të pandehurit Ervis Deti, për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i katërt dhe 25 të Kodit Penal, dhe dënimim e tij me 2 (dy) vjet burgim. 5. Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar i pandehuri përfundimisht me 1 (një) vit e 4(katër muaj)  burgim.

6. Vuajtja e dënimit fillon nga dita që ky vendim të marrë formë të prerë dhe të vuhet në një nga burgjet e sigurisë së zakonshme.

7. Deklarimin fajtor të të pandehurit Bexhed Mema, për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i katërt dhe 25 të Kodit Penal, dhe dënimim e tij me 2 (dy) vjet burgim. 8. Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar i pandehuri përfundimisht me 1 (një) vit e 4(katër) muaj burgim.

9. Bazuar në nenin 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim për të pandehurin Bexhed Mema, duke u detyruar që të mbajë kontakte me zyrën vendore të Shërbimit të Provës ku ka vendbanimin i pandehuri. Vënia në provë e të pandehurit për një periudhë kohe prej 2 (dy) vite e 8 tetë muaj, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale.

10. Në zbatim të nenit 61 të Kodit Penal, detyrohet i pandehuri që gjatë kohës së provës: a).T’i përgjigjet thirrjeve dhe kërkesave të Zyrës Vendore të Shërbimit të Provës; b).Të marrë pëlqimin në Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës për ndryshimin e vendbanimit.

11. Në bazë të nenit 261/1/b dhe 389 të K.Pr.Penale, urdhërohet heqja e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” caktuar me vendimin Nr. 34 datë 30.04.2025, të Gjykatës së Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

12. Lidhur me Provat materiale bazuar në nenin 190 të K.Pr.Penale, gjykata disponon si më poshtë ku:  1 (një) aparat telefonik i markës “Samsung Galaxy A16”, me numër IMEI 1: **** dhe IMEI 2: **** i cili ka në brendësi kartën SIM të kompanisë italiane me numër serial ****, i shtetasit Edison Cukaj alias Gjoka të kthehet këtij të fundit; 1 (një) aparat telefonik i markës “Iphone 12 ProMax”, me numër IMEI 1: **** dhe IMEI 2: **** i cili ka në brendësi kartën SIM të kompanisë vodafone me numër serial ****, i shtetasit Bexhed Mema të kthehet këtij të fundit; 1 (një) aparat celularë i markës Samsung blu e errët model galaxy A21S në gjëndje të ndezur pa kod hyrës me nr IMEI 1: **** dhe IMEI 2: ****, sim kartë ****, i shtetasit Armand Tragaj të lihet në dispozicion të dosjes së ndarë; 1 (një) aparat celularë i markës Samsung galaxy A3,  me nr IMEI 1: **** i shtetasit Ervis Deti, të kthehet këtij të fundit. 13. Në bazë të nenit 224 të K.Pr.Penale, CD me të dhënat përkatëse, mbeten pjesë e fashikullit gjyqësor. 14. Shpenzimet hetimore si dhe ato gjyqësore (sipas proçesverbalit bashkëlidhur), ju ngarkohen solidarisht të pandehurve. 15. Kundër vendimit lejohet ankim nga palët në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.