Eksporti dhe kalimi transit i mbetjeve pritet të bëhet në bazë të një sistemi të ri gjurmimi dhe monitorimi ose të paktën kështu parashikohet në një projektvendim të fundit të nxjerrë për konsultim nga Ministria e Mjedisit.
Relacioni që shoqëron këtë draft “”Per miratimin e rregullave per eksportin e mbetjeve dhe kalimin tranzit e te mbetjeve inerte, si dhe formularin e autorizimit” shpjegon se ky hap synon të forcojë transparencën dhe kontrollin mbi lëvizjen e mbetjeve, duke ndihmuar në parandalimin e eksporteve të paligjshme dhe mbrojtjen e mjedisit.
Projektvendimi është në përputhje me rregullat e Bashkimit Evropian, duke parashtruar ngritjen e një sistemi të ri digjital për të gjurmuar të gjitha dërgesat e mbetjeve, duke siguruar që çdo mbetje që kalon nëpër territorin shqiptar do të jetë e monitoruar dhe e gjurmueshme nga origjina deri në destinacionin përfundimtar.
Një nga elementët e projektvendimit është krijimi i një regjistri kombëtar të mbetjeve, i cili do të mundësojë mbajtjen dhe ruajtjen e të dhënave për çdo dërgesë mbetjeje për një periudhë 5-vjeçare.
Po kështu do të përdoren sisteme të avancuara teknologjike për të siguruar që të gjitha mbetjet, qofshin ato të rrezikshme apo jo të rrezikshme, të trajtohen dhe të menaxhohen në përputhje me ligjin.
Kjo risi sipas relacionit do të jetë një pjesë e rëndësishme e zbatimit të parimeve të menaxhimit të integruar të mbetjeve, të cilat janë të njohura dhe të pranuara në BE
Projektvendimi, i cili është planifikuar të hyjë në fuqi në qershor 2027, do të krijojë mundësinë për ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme për të operuar këtë sistem të ri.
Periudha kalimtare deri në atë moment do të sigurojë që të gjitha institucionet dhe palët e përfshira të mund të adaptohen me kërkesat e reja dhe të zhvillojnë mundësitë për përdorimin e sistemeve digjitale, duke përfshirë integrimin e plotë me Sistemin Integruar Mjedisor (SIM)./Monitor.al





