Të hënën e 4 majit, Gjykata e Lartë do të shprehet me vendim në lidhje me ndryshimin e praktikës gjyqësore sa i takon kushteve dhe kritereve për aplikimin e masës arrest në burg.

Prej afro 1 muaj Kolegji i Bashkuar i Gjykatës së Lartë ka analizuar dhe shqyrtuar rekursin e Bektesh Zenelit, i paraburgosuri që u bë shkak për nisjen e këtij ndryshimi ligjor, nëse do të ndryshojë praktika njehsuese e vitit 2011, ku mbështetet Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit për caktimin e masës shtrënguese.

Në seancën publike, gjykata do të shpallë dhe arsyetimin e zbardhur mbi këtë nismë, ku do të shikohet se si janë ndarë votat për ndryshimin e praktikës ligjore.

Për të ndryshuar këtë praktikë u angazhua dhe kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i cili sipas tij u detyrua nisur edhe nga vendimet e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut.