Me rritjen e fluksit të lëvizjeve drejt zonave turistike dhe bregdetare, Policia e Shtetit ka shtuar kontrollet në të gjithë vendin, duke përdorur radarë dhe dronë për monitorimin e qarkullimit rrugor.

Gjatë javës së fundit, janë vendosur mbi 26 mijë masa administrative për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit, nga mosvendosja e rripit të sigurimit apo kaskës, përdorimi i celularit në timon, parakalimet e rrezikshme, deri te drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit.

Në të njëjtën periudhë, janë arrestuar 48 drejtues mjetesh, prej të cilëve 26 për drejtim në gjendje të dehur dhe 22 të tjerë për drejtim pa leje drejtimi.

Vëmendja e policisë është përqendruar kryesisht në akset kombëtare që çojnë drejt zonave turistike dhe bregdetare, ku fundjavat sjellin një fluks të lartë automjetesh.

Në zonat urbane, kontrollet janë fokusuar edhe te parkimet e gabuara, të cilat shpesh bllokojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe shërbimet emergjente. Vetëm në Tiranë, 258 automjete janë tërhequr me karrotrec për shkelje të tilla.

Policia e Shtetit vijon punën në terren për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe u bën thirrje qytetarëve të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të bashkëpunojnë me autoritetet duke denoncuar shkeljet.