Li Jianhong, kryetar dhe president i Xinjiang Grand Scape Group, ka humbur jetën në një aksident automobilistik në Shqipëri gjatë një udhëtimi pune, raportojnë mediat kineze.

Ngjarja ndodhi të hënën në rrugën nacionale Librazhd–Elbasan, pranë Xibrakës. Sipas raportimeve, 60-vjeçari mbeti i vdekur në vend, ndërsa gjashtë persona të tjerë u plagosën. Policia ka arrestuar në flagrancë drejtuesin 26-vjeçar të automjetit tjetër, me akuzën për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Li Jianhong ishte një nga sipërmarrësit më të njohur në rajonin e Xinjiangut dhe themelues i resortit të skive Silkroad Mountain Resort në Urumqi. Kompania që ai drejtonte operon në sektorët e telekomunikacionit, turizmit dhe investimeve, duke u shndërruar në një ndërmarrje me asete totale rreth 1.4 miliardë juanë (afërsisht 205 milionë dollarë), me rreth 2,500 të punësuar dhe të ardhura miliardëshe në vitet e fundit.

Përveç aktivitetit në biznes, Li ishte i njohur edhe si alpinist dhe aventurier. Ai kishte përfunduar “Explorer’s Grand Slam”, duke ngjitur shtatë majat më të larta të botës, përfshirë Mount Everest dhe K2, si dhe kishte arritur në të dy polet e Tokës.

Autoritetet shqiptare vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.