Administratori i Akademisë së Sigurisë, Milton Nushi, ka folur pas helmimit të 56 studentëve nga konsumimi i vaktit të drekës të ofruar nga institucioni dhe i shërbyer nga kompania private e kontraktuar Sori-Al.

Në një deklaratë për mediat, ai thotë se ky mund të jetë problemi i parë i këtij lloji në historinë e institucionit. Nushi theksoi se, mostrat e ushqimit që konsumuan studentët, po analizohen nga AKU dhe Shëndeti Publik.

“Kanë pasur shqetësime studentët pas konsumimit të vaktit të drekës. Janë çuar në infermierinë që kemi këtu dhe më pas në QSUT, dhe janë kthyer, të gjithë janë shëndoshë e mirë, janë këtu. Dyshimi është se ka ndodhur pas konsumimit të ushqimit. Ushqimi është i standardeve shumë të mira, mund të ketë pasur ankesa për punën e llojshmërisë, por që ushqimi është jashtëzakonisht i mirë. Ne nuk kemi pasur asnjë moment helmimi deri sot që flasim. Kemi njoftuar menjëherë institucionet, AKU-në dhe Shëndetin Publik, i cili ka marrë mostrat, sepse ushqimi këtu vjen në formë kateringu dhe këtu mbajmë edhe mostrat, kemi komision që e pret bashkë me mjekun dhe i mbajmë të ruajtura 24 orë për raste kur ndodhin këto lloj incidentesh”, tha Nushi.