Një operacion i gjerë i Policisë italiane në Salerno ka çuar në arrestimin e dy të rinjve shqiptarë, të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në grabitje me armë, vjedhje automjetesh dhe përvetësim të mjeteve të vjedhura.
Të arrestuarit, identiteti i të cilëve ende nuk bëhet me dije, janë të dy 22 vjeç, ndërsa dy persona të tjerë të lidhur me të njëjtën çështje janë shpallur në kërkim.
Sipas autoriteteve italiane, hetimet nisën pas një serie grabitjesh dhe vjedhjesh të regjistruara gjatë muajve mars dhe prill, kryesisht në zonën Agro Nocerino-Sarnese, por edhe në territore të tjera përreth. Objektivat kryesore të grupit kriminal ishin pikat e karburantit dhe aktivitete të ndryshme tregtare.
Bilanci i aktivitetit kriminal konsiderohet i rëndë. Hetuesit kanë dokumentuar 25 grabitje të rënda, 5 vjedhje automjetesh dhe 20 raste të përvetësimit të mjeteve të vjedhura.
Sipas Policisë, autorët vepronin në intervale shumë të shkurtra kohore dhe përdornin automjete të vjedhura për realizimin e grabitjeve. Ata shfaqeshin të maskuar dhe të armatosur me pistoleta, duke kërcënuar punonjësit e pikave të karburantit dhe bizneseve për të marrë xhiron ditore.
Hetimet zbuluan gjithashtu një skemë të mirëorganizuar të grupit. Fillimisht merrnin makina me qira dhe më pas vidhnin automjete të tjera që përdoreshin në aksionet kriminale, me qëllim shmangien e identifikimit nga policia.
Identifikimi i të dyshuarve u bë i mundur falë analizës së pamjeve nga kamerat e sigurisë, përgjimeve telefonike dhe verifikimit të një sasie të madhe të dhënash nga hetuesit e Skuadrës Mobile të Salernos, të cilët arritën të rindërtojnë në detaje episodet kriminale që dyshohet se janë kryer nga grupi.
Ndaj të arrestuarve rëndojnë akuzat për “organizatë kriminale me qëllim kryerjen e grabitjeve dhe vjedhjeve”, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në aktivitetin kriminal.





