Një ish-analist i Wall Street, Chirayu Rana me origjinë indiane, ka ngritur akuza të rënda ndaj ish-drejtoreshës ekzekutive të JPMorgan, Lorna Hajdini, duke pretenduar se është abuzuar seksualisht dhe detyruar të përdorte substanca narkotike gjatë punës së tij në bankë.

Sipas padisë, e cila po përfaqësohet nga avokati Daniel Kaiser, Rana pretendon se ish-shefja e tij me origjinë shqiptare, e ka droguar dhe ka ushtruar dhunë seksuale ndaj tij në mënyrë të përsëritur, ndërsa thotë se ka përjetuar edhe hakmarrje pasi ka tentuar të transferohej në një pozicion tjetër.

“U detyrova vazhdimisht të merrja drogë dhe u përdhunova. Kur kërkova të largohesha, u hakmorën ndaj meje”, është shprehur ai në deklarimet e tij.

Nga ana tjetër, JPMorgan dhe vetë Lorna Hajdini kanë mohuar kategorikisht akuzat, duke i cilësuar ato të pabazuara. Banka thotë se një hetim i brendshëm nuk ka gjetur asnjë provë që mbështet pretendimet e ngritura.

Sipas burimeve të cituara nga Wall Street Journal, Rana ka refuzuar një ofertë kompensimi prej rreth 1 milion dollarësh për zgjidhjen e çështjes dhe më pas ka kërkuar mbi 20 milion dollarë dëmshpërblim.

Avokati i tij ka deklaruar se procesi gjyqësor pritet të vazhdojë dhe se në gjykatë do të paraqiten prova shtesë për të mbështetur akuzat e klientit të tij, ndërsa pala e akuzuar i ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet përmes përfaqësuesve ligjorë.