Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi theksoi se reforma në drejtësi ka sjellë shumë sfida, ndërsa shtoi se kërkon ende shumë punë, durim dhe përkushtim për të arritur në një drejtësi të standardeve evropiane.

Teksa mori pjesë në aktivitetin e përurimit të ambienteve të reja të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), Rusi theksoi rolin e sistemit të drejtësisë në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së.

Ai theksoi se pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe garantimi i të drejtave themelore janë thelbësore në procesin e integrimit.

“Reforma ka sjellë sfida të mëdha dhe kërkon ende shumë punë, durim e përkushtim. Ajo ka kryer gjithashtu standarde të reja, përgjegjshmëri dhe profesionalizëm. Roli i GJKKO është i një rëndësie të veçantë. Përfaqësojnë institucionet kyçe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Forcimi i kapaciteteve, përmirësimi i infrastrukturës, dhe garantimi i kushteve bashkëkohore të punës nuk janë thjesht investime, por themele ne besueshmërinë e drejtësisë dhe të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Sot rruga e Shqipërisë drejt BE kalon përmes rezultateve në drejtësi.

Pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe garantimi i të drejtave themelore janë thelbësore në procesin e integrimit. Suksesi i kësaj reforme varet nga vetë përkushtimi i institucioneve dhe njerëzve që shërbejnë në to.”, tha Rusi.