Babai i Ervis Martinaj, Mustafa Martinaj është paraqitur ditën e sotme për herë të dytë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në procesin për pronat e Ervis Martinajt. Seanca gjyqësore është shtyrë sërish për shkak të mungesës së dy avokatëve.
Pas daljes nga seanca, Mustafa Martinaj gjatë një prononcimi për gazetarët ka deklaruar se autoritetet nuk duan ta zbardhin zhdukjen e djalit të tij.
“Nuk duan ta zbardhin, prandaj e lënë në Kurbin, pasi ua kam dhënë koordinatat e sakta dhe emra konkretë. I kam thënë të gjitha në SPAK kur erdha dëshmova me kërkesën time, askush nuk është interesuar që atëherë”, ka përfunduar Mustafa Martinaj.
Ervis Martinaj, i cilësuar për vite me radhë si “mbreti i bixhozit” në Shqipëri, ishte një biznesmen i fuqishëm në sektorin e lojërave të fatit dhe basteve sportive. Ai ishte themelues i kompanive të mëdha si “King Casino” dhe “Albania Baste Live”, duke ndërtuar një perandori financiare që u bë shënjestër e autoriteteve ligjzbatuese për pastrim parash, veprimtari të paligjshme dhe lidhje me botën e krimit të organizuar.
Përveç përfshirjes në biznese të dyshimta, emri i tij lidhet edhe me disa ngjarje kriminale, përfshirë përplasjen me armë në zonën e ish-Bllokut në vitin 2018, ku një person mbeti i vrarë dhe vetë Martinaj u plagos. Prej asaj kohe, ai ishte në qendër të vëmendjes mediatike dhe të hetimeve të vazhdueshme nga policia dhe SPAK.
Martinaj rezulton i zhdukur që prej fillimit të gushtit 2022. Kontakti i fundit i dokumentuar ishte më 8 gusht të atij viti, kur u pa për herë të fundit në një zonë të Tiranës, duke u larguar me një automjet luksoz. Kamera sigurie e kanë filmuar pranë zonës së “Zogut të Zi”, ndërsa që nga ajo ditë, asnjë informacion i besueshëm nuk është dhënë për vendndodhjen apo fatin e tij.
Dy janë pistat kryesore që janë shqyrtuar nga autoritetet: mundësia që Martinaj të jetë vrarë nga grupe kriminale kundërshtare, apo që ai të ketë inskenuar zhdukjen për t’i shpëtuar ndjekjes penale dhe hakmarrjeve. Megjithatë, hetimet nuk kanë arritur të sjellin prova përfundimtare për asnjërën prej tyre, ndërsa familjarët e tij kanë pretenduar se ai është vrarë dhe trupi i tij është zhdukur.
Pas zhdukjes së tij, SPAK ka nisur një sërë hetimesh financiare dhe ka sekuestruar pasuri të shumta të lidhura me Martinajn dhe të afërmit e tij, përfshirë prona, llogari bankare dhe biznese me vlera që kapin miliona euro.





