Këshilli i Ministrave i Shqipërisë, me firmë të kryeministrit Edi Rama, ka miratuar një sërë ndryshimesh dhe shtesash në rregulloren e Garda e Republikës së Shqipërisë, të cilat forcojnë rregullat mbi sjelljen dhe angazhimin politik të punonjësve të saj.

Sipas vendimit të miratuar nga Këshilli i Ministrave, efektivëve të Gardës u ndalohet çdo formë mbështetjeje ndaj partive politike apo kandidatëve, përfshirë pjesëmarrjen në fushata, kontribute financiare apo fizike, si dhe shprehjen publike të bindjeve apo preferencave politike.

Po ashtu, ndryshimet parashikojnë se punonjësit e Gardës nuk lejohen të marrin pjesë në tubime apo mbledhje të partive dhe organizatave politike, edhe kur nuk janë në shërbim. Ata gjithashtu nuk mund të kandidojnë për funksione politike pa hequr dorë më parë nga detyra e tyre.

Rregullorja e re forcon gjithashtu kufizimet për veprimtari që mund të krijojnë konflikt interesi ose perceptim të njëanshmërisë politike, duke synuar ruajtjen e neutralitetit institucional të Gardës.

Nga ana tjetër, ndryshimet sjellin edhe një lehtësim në aspektin profesional, duke u njohur punonjësve të Gardës të drejtën për t’u organizuar në sindikata, me qëllim mbrojtjen e interesave të tyre dhe të drejtave të përcaktuara me ligj.

Zbatimi i vendimit i është ngarkuar Ministria e Punëve të Brendshme dhe vetë Gardës së Republikës, ndërsa akti hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.