Në katër muajt e parë të këtij viti, numri i të huajve që vizituan Shqipërinë arriti në 2 milionë e 600 mijë persona.

Në kufi, ata kanë deklaruar si arsye kryesisht udhëtime personale, pushime ose takime me të afërmit e tyre. INSTAT raporton një rritje me gati 5.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sa i përket kalimtarëve tranzit, janë regjistruar rreth 73 mijë të tillë.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në muajin mars kanë hyrë në territorin e vendit rreth 900 mijë turistë, ku gati 90% i përkasin Evropës.

Rreth 622 mijë prej tyre vijnë nga Evropa Jugore, ndërsa vihet re një rënie e lehtë e vizitorëve nga Evropa Perëndimore.

Gjithashtu nuk mungojnë vizitorët nga SHBA, Afrika, Azia dhe Lindja e Mesme.

Edhe daljet e shtetasve shqiptarë nga kufiri kanë shënuar rritje në këta muaj të parë të vitit, me një rritje prej 9.2%.

Shifrat pritet të vijojnë të rriten edhe në raportin e muajit maj. Po ashtu, agjencitë turistike raportojnë se sezoni veror po shoqërohet me një rritje të fortë të prenotimeve nga jashtë vendit. Sipas tyre, fluksi pritet të mbetet pozitiv të paktën deri në muajin tetor, gjë që mund të sjellë rritje të mëtejshme të të ardhurave nga sektori i turizmit.