Në një lidhje direkte për Ora News, eksperti i sigurisë rrugore Fatmir Hasho ngriti shqetësime për situatën e aksidenteve në vend, duke vënë në dukje se problematika nuk lidhet vetëm me mungesën e infrastrukturës, por edhe me sjelljen e qytetarëve në rrugë.

Ai solli si shembull një aksident të fundit në të njëjtin vend ku më parë ishin marrë masa sigurie, përfshirë sinjalistikë paralajmëruese, ulje shpejtësie, mbrojtëse metalike dhe vendkalime për këmbësorë. Sipas tij, pavarësisht këtyre ndërhyrjeve, ngjarjet vijojnë të përsëriten.

U ngrit edhe shqetësimi për përdorimin e mbikalimeve, ku sipas ekspertit, një pjesë e këmbësorëve nuk i përdorin, duke rritur rrezikun në rrugë. Ai e lidh këtë edhe me mungesën e edukatës rrugore.

Në një moment të intervistës, ai u shpreh i zhgënjyer për faktin se, sipas tij, sugjerimet e bëra ndër vite nuk janë zbatuar.

“Çfarë kemi thënë deri më sot ka rënë në vesh të shurdhër. Në të njëjtin vend janë marrë masa, por aksidentet kanë ndodhur sërish. Kemi sinjalistikë, kemi kufizime shpejtësie, kemi vendkalime, por problemi përsëritet.”-tha eksperti.

Ai shtoi se në disa raste edhe ekzistenca e mbikalimeve nuk mjafton, pasi qytetarët nuk i përdorin.

“Edhe kur ka mbikalime, njerëzit përtojnë t’i përdorin. Kjo lidhet me edukatën rrugore, ku kemi ende mangësi.”-shtoi ai.

I pyetur për përgjegjësinë institucionale, eksperti solli si shembull praktika nga jashtë vendit, duke përmendur rastin e Gjermanisë, ku sipas tij, ndërhyrjet institucionale të koordinuara kanë sjellë ulje të ndjeshme të aksidenteve.

Ai kërkoi më shumë angazhim institucional dhe ndjekje të vazhdueshme të masave të marra, jo vetëm takime periodike pa zbatim konkret.