Kreu i SPAK, Klodjan Braho zbardhi detaje në lidhje me aksionin e përbashkët që çoi në ekzekutimin e 15 masave të sigurisë ndaj një grupi të strukturuar kriminal.
Në një konferencë të përbashkët me Antimafian Italiane, Braho u shpreh se, nga ky aksion janë sekuestruar rreth 1 milion euro pasuri cash, si dhe llogari bankare apo dhe shoqëri tregtare. Gjithashtu Braho theksoi rëndësinë e e bashkëpunimit mes autoriteteve italiane dhe ato të vendit tonë.
“Ky është një rezultat i përbashkët. Në lidhje me këtë çështje janë ekzekutuar 15 masa, 10 janë ekzekutuar nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë. Është një element i rëndësishëm i këtij rasti, jo vetëm goditja e këtij aktiviteti të krimit të organizuar të drogës, por dhe produkti i krijuar nga ky aktivitet i paligjshëm. Gjatë hetimeve paraprake janë sekuestruar rreth 1 milion euro para në gjendje cash. Po kështu nga GJKKO në Tiranë, janë sekuestruar pasuri të tjera, llogari bankare, shoqëri, që dyshohet se janë krijuar nga veprimtari kriminale. Dua të përmend operacionit “Shpirti”, “Kulmi” dhe “Ura” ku u dënuan penalisht 167 persona dhe për 145 prej tyre janë dhënë dënime të konsiderueshme nga 12 vite burg e deri në 20.”, tha ai.





