Ministri i Financave, Petrit Malaj ishte në konferencë për shtyp sa i takon rritjes së të ardhurave qendrore dhe në nivel vendor.

E nisi fjalën e tij me xhiron e deklaruar të bizneseve.

“Po të bëjmë një krahasim të xhiros së deklaruar përgjatë 4-mujorit të parë të vitit 2026 me atë të vitit të shkuar kemi një rritje dyshifrore, pra me 11%. E thënë në terma monetarë, rritja është 133 miliardë lekë apo 1.4 miliard euro më shumë xhiro e deklaruar. Kjo rritje në fakt mbështetet nga tre sektorë, kryesisht nga ai i shërbimeve, që është rritur me 24.5%”, deklaroi Malaj.

Rritje, sipas tij, kanë pësuar edhe sektori i ndërtimit dhe tregtisë.

8 070 biznese të reja në këtë 4-mujor, pra janar-prill 2026, 11% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të shkuar.

Sa i përket të ardhurave të realizuara nga administrata tatimore, arritën në 275.8 miliard lekë në fund të prillit. 302 milion euro më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit 2025.

Të ardhurat totale te tatimet dhe doganat kapin shifrën e 172.7 miliardë lekëve, 5.4% se në vitin 2025.

“Rritja tregon se bizneset janë duke gjeneruar gjithnjë e më shumë aktivitet ekonomik, por edhe mirëmenaxhim doganor e tatimor”, tha ministri.

Sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, 66.8 miliardë lekë të ardhura ose 12.5% më shumë se vitin e shkuar.

Për procesin e rivlerësimit të pronave, në mars-prill 2026, tha se në buxhetin e shtetit janë arkëtuar 3.9 miliardë lekë.

Të ardhurat e realizuara nga pushteti vendor, 17.2 miliardë lekë ose 11.2 miliardë lekë më shumë se 3 muajt e parë të vitit 2025.

“Ndikimin më të madh e ka pasur taksa e ndikimit në infrastrukturë me 11.08 miliardë lekë të ardhura. Bashkitë që kanë pasur rritjen më të madhe si rezultat i kësaj takse janë bashkia e Tiranës, Vlorës, Himarës dhe Sarandës. Kjo reflekton dinamikën e lartë të investimeve në ndërtim, veçanërisht në zonat turistike, por edhe ato urbane”, sqaroi ministri.

Rritje me 17.1 miliardë lekë në total e shpenzimeve vendore. Me 31% janë rritur shpenzimet kapitale ose 2.23 miliardë lekë në total. “Bashkitë me realizimin më të lartë, Kukësi, Durrësi, Kamza dhe Vora”, shtoi Malaj.