Dueli elektoral në Madrid i ka dëmtuar së tepërmi Real-in. Florentino Perez dhe sfidanti i tij Enrique Riquelme në ditët e fundit kanë marrë faqet e para të medieve duke premtuar emra, me të cilët nuk kanë arritur asnjë akord. Në fillim Enrique Riquelme tha se kishte akord me Haaland dhe Rodri në rast se do të zgjidhej ai president i Real-it. City reagoi duke e kërcënuar me padi. Perez nuk humbi kohë dhe lajmëroi një blerje 150 milionë euroshe. Shumë e aluduar thuhet se ishte për Olise, por Bayern prej javësh ka lënë të kuptohet se nuk do të ndahet nga francezi për asnjë shifër.
Pas këtij pluhuri mediatik Riquelme futi në lojë një tjetër emër të madh. Sipas biznesmenit të ri në rast se ai do të zgjidhet president i klubit atëherë në stolin e Real-it do të ulet Jürgen Klopp.Një lajm ky që është përgënjeshtruar menjëherë nga vetë menaxheri i ish-trajnerit të Liverpool, i cili konsideroi këto zëra si “acarues”. “Jürgen Klopp është i lumtur me rolin që ka te Red Bull dhe s’ka asnjë ambicie për të punuar si trajner i një klubi”, tha Marc Kosicke. Sipas ekspertëve të merkatos në Gjermani, 58-vjeçari do të ndryshonte mendim vetëm nëse ftesa do të vinte nga Federata Gjermane e Futbollit. Klopp do të jetë pasardhësi i Julian Nagelsmann në kombëtaren katër herë kampione të botës.





