Një dyqan amerikan i Amazonës nxori në shitje bluza për fëmijë, që kishin të stampuar foton e afro-amerikanit George Floy, në momentin kur polici 44-vjeçar, Derek Chauvin, mban gjurin në fytin e viktimës. Bluzat shiteshin online për 14,99 dollarë.
Në një deklaratë për BBC pak ditë më parë, Amazon tha se llogaria ishte duke u hetuar, pasi udhëzimet për shitjet në internet ndalojnë produktet që përshkruajnë foton e skenës së krimit.
Së fundmi, Amazon bëri me dije se produkti në fjalë nuk është më në dispozicion. “Të gjithë shitësit duhet të ndjekin udhëzimet tona të shitjes dhe ata që nuk do t’i nënshtrohen rregullave, do iu hiqet llogaria e tyre.”
Ndërsa kjo bluzë nuk është më e disponueshme, modele të tjera të bluzave dhe kapelave të bejsbollit, që paraqesin të njëjtën foto sipër sloganit “kundër zbatimit të ligjit të dhunshëm”, mund të gjenden ende në faqen e SHBA në Amazon.





