Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, ka vlerësuar zhvillimin e protestave qytetare në vend, duke i cilësuar ato si një element normal të një shoqërie demokratike.

Por, pavarësisht kësaj, Tarran theksoi se dialogu mbetet sfida kryesore e politikës shqiptare. “Protestat qytetare janë një element normal i demokracisë, ndërsa dialogu mbetet sfida kryesore e politikës shqiptare”, tha ai gjatë një vizite në RTSH Korça.

Ndër të tjera, Tarran u shpreh se protestat në Shqipëri janë zhvilluar kryesisht në mënyrë paqësore dhe me respekt për të drejtën e qytetarëve për t’u shprehur.

“Protestat janë një aspekt normal i jetës demokratike dhe gëzohem që Shqipëria u bë tani një vend, ku protesta të tilla mund të organizohen edhe në mënyrë shumë qytetare, në mënyrë shumë paqësore. Ka patur disa incidente, por në përgjithësi nëse shikon pas më shumë se një muaj nuk ka patur incident të rëndësishëm”, deklaroi ambasadori i OSBE-së.

Duke folur për situatën politike në vend, Michel Tarran u ndal edhe te polarizimi mes forcave politike, duke theksuar se ekzistenca e disa poleve politike është një tipar normal i demokracive, por sipas tij, Shqipëria ka ende mangësi sa i përket dialogut konstruktiv.

“Fakti që ekzistojnë polet, dy ose tre ose më shumë pole në fushë politike është diçka normale. Është tamam karakteristika e vendeve demokratike. Fatkeqësisht duhet të thoni që dialogu në politikë në Shqipëri nuk është në nivelin e duhur”, tha Tarran.