Me arsyetimin se nevojiten të kryhen veprime të tjera hetimore, si pyetja e dëshmitarëve si dhe administrimi i akteve të ekspertimit, Prokuroria e Shkodrës vendosi të zgjasë edhe 3 muaj të tjera, hetimet ndaj të dyshuarve për vrasjen e Pavlin Prekës në oborrin e shtëpisë së tij më 26 shkurt 2025 në fshatin Guci e Re në Shkodër.

Për vrasjen e 19-vjecarit, janë vënë në pranga Vasel Koceku dhe Klaudio Lisaj, ndërsa ka dyshime se në ngjarje është i përfshirë dhe Aleksandër Koceku. Prokuroria sqaron se Preka u vra pasi planifikoi të rrëmbente vajzën e Vasel Kocekut, me qëllim për tu fejuar me të, edhe pse e mitura nuk kishte shprehur pëlqim.

“Duke analizuar provat e mbledhura deri më tani rezulton se shtetasi Vasel Koçeku, Aleksandër Koçeku dhe Klaudio Lisaj në bashkëpunim mes tyre kanë përgatitur planin dhe kanë realizuar vrasjen e viktimës Pavlin Preka për shkak të qëllimeve dhe veprimeve të tij për “grabitjen” e vajzës së shtetasit Vasel Koçeku për t’u fejuar, pa pëlqimin e vajzës, emrin e së cilës e ka tatuazh dhe në qafë”, thekson prokuroria.

Lidhur me këtë ngjarje, institucioni i akuzës thotë se ka veprime të tjera hetimore për të kryer, të cilat nuk janë mundur të përfundohen brenda afatit hetimore. Gjithashtu thekson se nuk është bërë e mundur të administrohen të gjitha aktet e ekspertimeve të tjera, pyetja e të gjithë dëshmitarëve dhe personave të dyshuar dhe kryerja këtyre veprimeve hetimore, harmonizuar me provat e grumbulluara dhe ato që do të diktohen në vijimësi do të bëhet përfundimi i hetimeve paraprake. Me këto argumente, hetimet ndaj të dyshuarve janë zgjatur deri më datë 15 shtator 2026.