Një në tre nxënës të arsimit bazë është larguar nga bankat e shkollës gjatë dhjetë viteve të fundit, ndërsa në arsimin e mesëm numri i tyre është përgjysmuar.

Kjo është panorama që paraqet raporti më i fundit i organizatës “Qëndresa Qytetare”, i hartuar mbi bazën e të dhënave të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe INSTAT-it, i cili evidenton se sistemi parauniversitar në Shqipëri po përballet me pasojat e drejtpërdrejta të krizës demografike.

Raporti tregon se rënia e lindshmërisë, emigracioni i familjeve të reja dhe plakja e popullsisë nuk po reflektohen vetëm në statistikat demografike, por edhe në jetën e përditshme të shkollave. Më pak fëmijë nënkuptojnë më pak nxënës, më pak klasa, mbyllje shkollash dhe një riorganizim të gjithë rrjetit arsimor, veçanërisht në zonat rurale dhe të thella.

Shifrat janë domethënëse. Në vitin shkollor 2014–2015, në arsimin bazë publik ishin të regjistruar 342,765 nxënës, ndërsa në vitin 2023–2024 ky numër kishte rënë në 228,833. Brenda një dekade, sistemi ka humbur 113,932 nxënës, ose rreth 33% të popullsisë shkollore. Kjo do të thotë se sot mungon një në tre nxënës krahasuar me dhjetë vite më parë.

Situata paraqitet edhe më shqetësuese në arsimin e mesëm. Numri i nxënësve është ulur nga 125,517 në vitin 2014–2015 në vetëm 63,092 në vitin 2023–2024, duke regjistruar një rënie prej afro 50%. Sipas raportit, kjo lidhet me efektin zinxhir të rënies së lindjeve, emigracionit dhe largimit të të rinjve nga vendi përpara përfundimit të arsimit të mesëm.

"E FRIKSHME"/ Përgjysmim i numrit në gjimnaze: 1 në 3

Tkurrja e numrit të nxënësve ka detyruar edhe riorganizimin e rrjetit arsimor. Në arsimin bazë, numri i institucioneve publike ka rënë nga 1,317 në 1,014, që do të thotë se 303 shkolla nuk funksionojnë më si një dekadë më parë, ose rreth 23% e tyre janë mbyllur, bashkuar ose riorganizuar. Në arsimin e mesëm, numri i institucioneve është ulur nga 381 në 351, një reduktim më i moderuar prej rreth 8%.

Raporti shpjegon se mbyllja e shkollave është bërë kryesisht në zonat me pak banorë, ku mungesa e nxënësve ka detyruar bashkimin e institucioneve ose transportimin e fëmijëve drejt shkollave më të mëdha