Më shumë se 10,000 vdekje u regjistruan në vendet evropiane gjatë valës historike të të nxehtit që goditi Evropën Perëndimore në fund të qershorit, sipas shifrave zyrtare.
Shumica dërrmuese e viktimave – mbi 9,000 persona – ishin të moshës 65 vjeç e lart, sipas të dhënave nga EuroMOMO, rrjeti evropian i monitorimit të vdekshmërisë i mbështetur nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve ( ECDC ) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ( OBSH ).
Nxehtësia ekstreme mund të jetë fatale, duke shkaktuar goditje nga nxehtësia ose duke përkeqësuar sëmundjet kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes, me të moshuarit ndër grupet më të prekshme.
“Të shohësh një vdekshmëri kaq të lartë në këtë kohë të vitit është e pazakontë. Ky është një numër jashtëzakonisht i lartë”, tha për Reuters Lasse Vestergaard, zyrtari kryesor mjekësor në Institutin Statens Serum në Danimarkë, i cili pret EuroMOMO . “ Është e vështirë të shpjegohet një vdekshmëri kaq e lartë me ndonjë faktor tjetër përveç nxehtësisë ekstreme”, shtoi ai.
Shkencëtarët e lidhin valën e të nxehtit me ndryshimet klimatike
Shkencëtarët vlerësojnë se vala e të nxehtit e ditëve të fundit të qershorit do të kishte qenë “pothuajse e pamundur” të ndodhte pa ndryshimet klimatike antropogjene, të cilat po i bëjnë fenomene të tilla gjithnjë e më të shpeshta dhe intensive.
Të dhënat vijnë nga statistikat kombëtare të vdekshmërisë nga 27 vende evropiane dhe mbulojnë të gjitha vdekjet – jo vetëm ato të lidhura drejtpërdrejt me vapën – për javën e 22-28 qershorit, kur vala e të nxehtit arriti kulmin në vende si Franca, Spanja, Britania dhe pjesë të tjera të Evropës Perëndimore.
Shkencëtarët theksojnë se nuk kishte asnjë faktor tjetër të madh, siç është një shpërthim i COVID -19 ose një epidemi tjetër, që mund të shpjegonte rritjen e vdekjeve në 10,650 në vetëm një javë.
Në të kundërt, gjatë tetë javëve të mëparshme, të njëjtat vende kishin regjistruar mesatarisht rreth 500 vdekje më pak në javë sesa normalja. EuroMOMO vëren, megjithatë, se shifrat mund të rishikohen ndërsa përfshihen të dhëna të reja.
Vala e të nxehtit në fund të qershorit shkaktoi probleme të rënda në shumë vende evropiane, duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike, duke mbyllur shkollat dhe duke thyer rekorde historike të temperaturave në Francë, Spanjë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
EuroMOMO nuk publikon të dhëna mbi vdekshmërinë e tepërt sipas vendit, por vëren se Franca dhe Belgjika ishin të vetmet vende evropiane që regjistruan “vdekshmëri shumë të lartë të tepërt” në javën e fundit të qershorit.
Në fakt, Belgjika, sipas institutit të shëndetit publik Sciensano, regjistroi vdekshmërinë më të lartë të tepërt të vërejtur në një valë të nxehti që nga viti 2000, kur filluan të regjistroheshin të dhënat përkatëse.
Studimi: 2,700 vdekje vetëm në Angli dhe Uells
Ndërkohë, një studim i veçantë shkencor i publikuar të hënën vlerëson se rreth 2,700 njerëz vdiqën në Angli dhe Uells për shkak të nxehtësisë gjatë valëve të të nxehtit të majit dhe qershorit.
Sipas një studimi të kryer nga Imperial College London, Shërbimi Meteorologjik Britanik (Met Office) dhe Shkolla e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër, 42% e këtyre vdekjeve i atribuohen barrës shtesë të shkaktuar nga ngrohja globale, e cila ka rritur intensitetin e ngjarjeve ekstreme të motit.





