Komisioneri Evropian për Migracionin, Magnus Brunner, pritet të japë llogari para eurodeputetëve për këtë takim, qëllimi i të cilit ishte koordinimi për deportimin e migrantëve afganë.

Takimi i mbajtur më 23 qershor në afërsi të Brukselit, shënon një zhvillim të pazakontë në marrëdhëniet ndërkombëtare, ndërsa një koalicion prej rreth 20 vendeve evropiane, mes të cilave Suedia dhe Belgjika, po kërkojnë mënyra për të përshpejtuar kthimin e qytetarëve afganë në vendin e tyre, veçanërisht atyre që janë dënuar nga gjykatat.

Përballë reagimeve të forta publike dhe politike, zyrtarët e Brukselit do të duhet të sqarojnë se çfarë është arritur konkretisht në këmbim të kësaj hapjeje ndaj regjimit taleban.

Sipas mediave të huaja, autoritetet talebane, të cilat nuk njihen zyrtarisht nga Bashkimi Evropian, po kërkojnë të forcojnë praninë dhe statusin e tyre jashtë vendit. Takimi shkaktoi një stuhi kritikash nga organizatat e të drejtave të njeriut ose grupet e krahut të majtë në Parlamentin Evropian .

Talebanët nuk janë bashkëbisedues si të tjerët”, tha Saskia Bricmont, një eurodeputete ambientaliste, duke iu referuar “një regjimi që shtyp sistematikisht gratë, imponon një aparteid të vërtetë dhe shtyp çdo zë mospajtues”.

Thirrja për dëgjimin e Komisionerit Europian i përket eurodeputetit belg. Seanca dëgjimore do të zhvillohet me dyer të mbyllura në pasdite, gjatë së cilës Komisioni dëshiron të marrë përgjigje mbi normalizimin e marrëdhënieve me talebanët. Komisioni i hedh poshtë kritikat dhe këmbëngul se ky takim u zhvillua në një nivel teknik dhe për këtë arsye nuk përfshiu zyrtarë të lartë talebanë  , ndërsa ai pasoi dy vizita nga evropianët në Kabul.

Megjithatë, Komisioni ishte i vetëdijshëm për natyrën delikate të kësaj vizite. Prandaj, e organizoi atë në një vend shumë afër aeroportit kryesor të Brukselit me një qëllim kryesor, të qëndronte larg kamerave. Delegacioni i talebanëve nga ana tjetër, foli për bisedime konstruktive me Brukselin dhe përfaqësuesit e një grupi prej pesëmbëdhjetë shtetesh anëtare.