Kontrolle të befasishme janë bërë këtë mëngjes në ambientet e burgut të Drenovës. Mësohet se gjatë kontrolleve në qelinë ku mbahet Laert Haxhia, i dënuar me burgim të përjetshëm, është gjetur një aparat celular.

Menjëherë pas përfundimit të operacionit të kërkimit, aparati është sekuestruar dhe u është dërguar ekspertëve të SPAK-ut për ekspertizë. Ky nuk është rasti i parë që një i dënuar për çështje të rënda penale kapet me mjete të palejuara në ambientet e burgut, ndërsa ngjarja pritet të pasohet nga verifikime dhe masa të tjera nga institucionet përgjegjëse.

Laert Haxhia është dënuar me burgim të përjetshëm për disa ngjarje kriminale, përfshirë vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Çelës në Lushnjë, si dhe akuza të tjera të rënda penale.