Gjykata e Tiranës ka dënuar dy ish-zyrtarët e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ish-drejtorin Artjol Saliasi dhe Gëzim Salën për shpërdorim detyre. Bëhet me dije se dy ish-zyrtarët janë dënuar me nga 9 muaj burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi është ulur me 1/3, duke u konvertuar përfundimisht në 6 muaj heqje lirie. Megjithatë, gjykata ka vendosur pezullimin e dënimit me burg dhe konvertimin e tij në 1 vit shërbim prove.

Dy ish-zyrtarët e AMP-së u hetuan pas dyshimeve se nuk kishin respektuar ligjin gjatë procedurës së ndjekur për punësimin në këtë agjenci të Muçi Shaljanit, i cili u vra në atentatin e Rinasit në nëntor të vitit të kaluar. Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se Saliasi dhe Sala kanë komunikuar së bashku me punësimin e Shaljanit në AMP. Dokumentet janë përgatitur nga Gëzim Sala ndërsa në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë anashkaluar të gjitha procedurat e parashikuara për rekrutimin e agjentëve të rinj.