Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, u pyet për angazhimet që ka ndërmarrë Shqipëria për Bordin e Paqes.

Ai deklaroi se javën e ardhshme pritet që Këshilli i Ministrave të miratojë vendimin për dërgimin e disa Oficerëve të Shtabit në Gaza, që do të jenë pjesë e Shtabit të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.

“Në lidhje me pjesën e dërgimit të trupave në Gaza, javën që vjen do mratojmë në Këshillin e Ministrave vendimin. Shqipëria ka marrë angazhim kryesisht me faktin se do të dërgojmë oficerë shtabi në shtabin e forcës ndërkombëtare stabilizuese. Kemi marrë angazhim në Bordin e Paqes, kemi bërë një mision shqyrtimi të territorit e kushteve në Gaza. Pas atij misioni do të dërgojmë oficerët e shtabit që do të bëhen e shtabit të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese. Me dërgimin, do të bëhet vlerësimi edhe për angazhimin e trupave konkrete. Më pas do të vlerësojmë sa do të dërgohen.”, tha ai.

Ministri u pyet edhe për samitin e NATO-s që është parashikuar të mbahet në Tiranë. Ai deklaroi se aleanca ka konfirmuar se samiti do të mbahet në Tiranë, por nëse do të mbahet në 2027 apo një vit më pas pritet të shihet.

“Samiti është vendosur në Hagë që do të mbahet në Tiranë. Ai angazhim nga aleanca u mbajt. Samitet vendosen nga krerët e shteteve. Samiti do të zhvillohet në Tiranë, a do të jetë në 2027 apo në 2028 do të vendoset nga aleanca. Kur të bëhet e ditur data, do të fillojë edhe marrja e masave”, tha ai.