Kristjan Asllani dhe Yanis Massolin kanë pësuar shqetësime muskulore, të konstatuara gjatë kontrolleve mjekësore të kryera paraditen e sotme nga stafi mjekësor i Interit.

Dy futbollistët do t’i nënshtrohen vlerësimeve të tjera në ditët në vijim, për të përcaktuar shkallën e dëmtimit dhe kohën e rikuperimit.

Më pas, trajneri Cristian Chivu do të vendosë nëse Asllani dhe Massolin do të udhëtojnë me skuadrën në turneun përgatitor në Kinë dhe Australi, apo do të qëndrojnë në qendrën stërvitore të Appiano Gentile për të vijuar trajtimin dhe rikuperimin fizik.

Problemet fizike të Asllanit vijnë në një moment të rëndësishëm të fazës përgatitore të Interit, ndërsa mesfushori shqiptar synon të fitojë sa më shumë hapësira në skuadër për sezonin e ri.