Një konflikt i ndodhur pasditen e kësaj të premteje në fshatin Shkallnur të Durrësit ka përfunduar me një të plagosur dhe të shtëna me armë zjarri në ajër.
Sipas informacioneve paraprake të Policisë, rreth orës 15:00, 36-vjeçari me iniciale E. Gj. është goditur me sende të forta, konkretisht me qytë pistolete, gjatë një konflikti për motive të dobëta. Si autorë të dyshuar identifikohen shtetasit D. T., 41 vjeç, i shpallur më parë në kërkim, dhe G. M., 27 vjeç, të dy banues në Shkallnur, të cilët janë larguar nga vendngjarja me automjet.
Policia bën me dije se në konflikt dyshohet të ketë qenë i përfshirë edhe një punonjës policie jashtë shërbimit, inspektori L. Xh. Ai është shoqëruar dhe ndaj tij po kryhen veprimet procedurale nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, grupi hetimor ka sekuestruar një gëzhojë pistolete, ndërsa dyshohet se gjatë konfliktit është qëlluar një herë në ajër me armë zjarri.
Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë kërkimet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorëve.
Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor.





