Pas dorëzimit të dokumentit strategjik “Besa” te deputetët e Partisë Socialiste, si një shenjë reflektimi për protestën, kreu i qeverisë ka reaguar sërish për protestuesit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama iu përgjigj qëndrimeve të protestuesve, të cilët kanë deklaruar se nuk kërkojnë dialog apo negociata, por dorëheqjen e tij.

“Ata vazhdojnë të përsërisin se nuk duan dialog, nuk ka negociata, nuk do të japin besim, duan vetëm dorëheqjen time! Një keqkuptim i madh. Asnjëri prej tyre nuk më ka dhënë kurrë votë, nuk kam kontratë me asnjërin prej tyre dhe as nuk më ka shkuar ndërmend të prish kontratën me 800 mijë shqiptarë, midis të cilëve ka edhe shumë flamingo”, shkroi Rama.

Kryeministri theksoi se fjalimi i tij ishte drejtuar atyre që, sipas tij, kanë votuar për qeverinë dhe jo protestuesve që kërkojnë largimin e tij.

“Fjalimi im ishte për mësimet që nxora nga flamingot dhe iu drejtua atyre, jo sorrave të zeza që mblidhen çdo natë në bulevard pasi flamingot janë larguar”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se protestuesit kanë të drejtë të vijojnë kërkesën e tyre për dorëheqje deri në vitin 2029, duke theksuar se kjo është pjesë e lirisë dhe funksionimit të demokracisë.

“Le të mos ndalen së ardhuri poshtë dritares sime me kërkesën për dorëheqje deri në vitin 2029 nëse duan! Sepse liria është e njëjtë edhe për ta dhe demokracia funksionon njësoj për të gjithë”, shkroi kryeministri.

Rama e mbylli reagimin duke deklaruar se mandati i tij qeverisës buron nga vota e qytetarëve dhe se “kontrata me shqiptarët” nuk varet nga protestuesit, por nga ata që e kanë votuar.