Ka nisur marshimi i qytetarëve në rrugët kryesore të kryeqytetit, duke vijuar rutinën e tyre teksa protesta ka hyrë në ditën e saj të 57-të. Pasi u mblodhën përpara godinës së Kryeministrisë ata bënë thirrje të përsëritura për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e kabinetit të tij. 

Gjatë marshimit, protestuesit janë ndaluar pak çaste para Parlamentit, ku siç shihet edhe nga pamjet ka forca policie dhe është vendosur gardhi metalik.

Këto masa janë marrë pas njoftimit nga protestuesit për një tjetër protestë paraditen e së hënës para Parlamentit. Aktivisti Arben Kola këtë të diele pak para nisjes së protestës së sotme u ka bërë thirrje publike qytetarëve që të mblidhen nesër më 27 korrik në sheshin “Skënderbej”, nga ku do të nisë një marshim drejt godinës së Kuvendit të Shqipërisë.

Protesta pritet të zhvillohet paralelisht me zhvillimin e dy seancave të fundit plenare për këtë sesion parlamentar. Kjo protestë vjen menjëherë pas protestës të zhvilluar të enjten e kaluar përpara Parlamentit, i cili u shoqërua me tensione të shumta.