Interesi për rivlerësimin e pronave mbetet i lartë. Në gjashtë muajt e parë të zbatimit të skemës, mbi 37 mijë qytetarë dhe biznese kanë aplikuar për të përditësuar vlerën e pronës me çmimet e tregut, ndërsa në buxhetin e shtetit janë arkëtuar mbi 47 milionë euro nga tatimi 5%. Tirana kryeson për numrin e aplikimeve, e ndjekur nga Durrësi dhe Vlora.

“Aplikimet e shpeshta bllokojnë sistemin. Përgjithësisht, procesi është i rregullt. Vlerësohet i gjithë objekti, me të gjitha të mirat, zonën, lokacionin dhe kështu bëhet rivlerësimi”,tha eksperti i pasurive të paluajtshme, Orgest Beti.

Sipas ekspertëve, një proces i tillë i rivlerësimit ka nxitur edhe shitjet, teksa më shumë qytetarë po përfitojnë nga fushata me tatimin 5%, duke përafruar vlerën reale të pronës me tregun. Por, përsëri, bumi mbetet për në fund të afatit.

“Gjërat i lënë në momentin e fundit dhe, në fundvit, do të ngelen shumë, dhe sistemi mund të bllokohet”, tha eksperti i pasurive të paluajtshme, Orgest Beti.

Por cilat janë rastet më të shumta që shtyjnë në rivlerësimin e pronave në këtë proces?

Rivlerësimi është i rëndësishëm kur shesim ose blejmë, jo gjithmonë nga dëshira. Kur bëhen me fëmijë dhe duhet të marrin një shtëpi, apo shesin sepse kanë fatkeqësi, përveç rasteve kur kemi një dëshirë, pse duhet ta bëjmë atë investim”, tha eksperti i pasurive të paluajtshme, Orgest Beti.

Afati përfundimtar për të aplikuar për rivlerësimin e pasurive me tatimin e reduktuar prej 5% është 31 dhjetor 2026, ndërsa pagesa e tatimit mund të kryhet deri më 31 mars 2027.