Franca po përballet me situatën më të vështirë që nga Lufta e Dytë Botërore, deklaroi presidenti Macron teksa vizitoi rajonin e prekur nga zjarret në jug të vendit.
Ai bëri të ditur se një vatër ishte vënë nën kontroll, por të tjera mbeten intensive dhe kërkojnë një kujdes të jashtëzakonshëm.
Më herët, autoritetet nxituan të krijonin breza të mëdhenj natyrorë për të parandaluar flakët të futeshin në qytetin Bordo, i cili u rrezikua drejtpërdrejt këtë të hënë.
Sipas zyrtarëve, flakët që iu afruan rreth 15 kilometra zonës metropolitane janë stabël, por nuk janë ende nën kontroll. Me mbi 115 mijë hektarë të djegur dhe rreth 250 mijë banorë të evakuuar që prej datës 3 korrik si pasojë e zjarreve. Ndërsa 80 zjarrfikës janë lënduar në përpjekje për shuarjen e flakëve. Autoritetet bëjnë të ditur gjithashtu se që nga 6 korriku, janë bërë 162 arrestime për zjarrvënie të qëllimshme.
Situata mbetet kritike edhe në Spanjë, ku zjarret masive rreth Madridit dhe rajonit të Avilës po përballen me dy ditë vendimtare përpara përkeqësimit të motit.
Një valë tjetër e të nxehtit që mund të përkeqësojë situatën do të përfshijë vendin nga e mërkura deri të paktën ditën e diel. Që nga 22 korriku, rreth 100 njerëz janë evakuuar nga zonat e banuara pranë zjarreve që konsiderohen si më të rëndat e dekadave të fundit.
Alarm nga zjarret edhe në jug të Italisë, ku flakët që iu afruan hoteleve në Gargano detyruan evakuimin e qindra turistëve me anije, si dhe ndërprerjen e lidhjeve kryesore rrugore e hekurudhore përgjatë Adriatikut.





