“Po dhe jo”. Përgjigja ndaj pyetjes së mad he të verës për Milanin. A ka filluar të marrë formë Milani i Amorimit? A po funksionon? Nuk mund të jetë tjetër veçse “po dhe jo”. Dritë dhe hije, siç është normale të ndodhë në gjysmën e parë të gushtit, sidomos për një grup lojtarësh që, përveç afrimeve të reja, është dashur të rishikojë plotësisht strukturën taktike: trajner i ri, sistem i ri loje dhe detyra të reja.

Shifrat tregojnë se deri tani kuqezinjtë kanë zhvilluar tri teste. Fillimisht fituan lehtësisht në Milanelo ndaj ekipit të dytë me rezultatin 7-0, më pas barazuan 2-2 në Glasgou kundër Sëlltikut, kampionëve të Skocisë, dhe barazuan 1-1 në derbin e zhvilluar në tokën australiane kundër Interit. Përpara debutimit në kampionat, më 23 gusht në fushën e Torinos, Milani ka ende në program miqësoren e 8 gushtit në Xhakartë kundër Çelsit dhe atë të 15 gushtit në Poloni ndaj Mançester Junajtid. Bilanci i përkohshëm? Ja tri gjëra që kanë funksionuar dhe tri që ende nuk shkojnë.

ÇFARË FUNKSIONON

Amorimi po e edukon skuadrën të luajë me guxim. Kjo nuk lidhet vetëm me një qasje taktike, ku skuadra nuk duhet të ketë frikë të ushtrojë presing të lartë, por edhe me qëndrimin e përgjithshëm. Barazimet ndaj Sëlltikut dhe Interit, të dyja të arritura pas disavantazhit, tregojnë pikërisht këtë. Vetëdijen se Milani ka forcën për të rikthyer një ndeshje, për të marrë sërish kontrollin dhe për të provuar zgjidhje. Kur Kardinale, pasi kishte parë fundin e ndeshjes AngliArgjentinë, e pyeti Amorimin nëse “mund t’i stërvitim lojtarët tanë që të bëjnë atë që bëri Mesi me krosimet”, trajneri portugez iu përgjigj:

“Po e shikon gabim. Lojtarët tanë tashmë mund ta bëjnë këtë. Ne duhet t’u mësojmë mentalitetin që të mos kenë frikë ta provojnë.” Kjo përgjigje përmbledh gjithçka. Aftësia për të ushtruar presion është aspekti i dytë që po përmirësohet dukshëm. Ishte keq në Glasgou, por pati përmirësime të ndjeshme kundër Interit. Për sa kohë zgjati, sepse më pas, pas njëzet minutash, agresiviteti dhe dendësia u zhdukën, zikaltërit mbetën të bllokuar, të paaftë për të krijuar një fazë të vërtetë sulmuese.

Milani, me një vijë të lartë presioni (diçka që bën përshtypje pas një sezoni të tërë ku skuadra qëndronte e mbyllur në 30 metrat e fundit), lëvizi në blloqe ndaj lojtarëve kundërshtarë me topin në këmbë, duke ngushtuar hapësirat dhe duke qëndruar kompakt. Interi, për një çerek loje, nuk gjeti linja të pastra pasimi. Risia e tretë, që po merr gradualisht formë, është kërkimi i vertikalitetit. Ka përfunduar epoka e qarkullimit horizontal, të ngadaltë, të përsëritur dhe të lexueshëm. Tani, pas tre ose katër prekjeve maksimumi, mendimi shkon përpara dhe topi kërkon thellësinë. Ndoshta edhe vetëm për disa metra, por skuadra vrapon drejt portës kundërshtare dhe nuk qëndron më pafundësisht në zonën e ndërmjetme.

ÇFARË NUK FUNKSIONON

Të rivendosësh një sezon që përfundoi aq keq është një operacion i vështirë. Milani i sezonit 2025-26 pësoi disa gola për shkak të gabimeve në daljen nga mbrojtja me top, dhe e njëjta gjë ndodhi edhe kundër Interit. Goli i Di Markos erdhi pas një pasimi vertikal të gabuar nga Estupinjani dhe një gabimi të njëkohshëm të Musës, i cili në vend që të afrohej drejt topit, u largua përpara. Më pas Çukueze e përfundoi aksionin duke humbur plotësisht lojtarin që duhej të mbulonte. Tri golat e pësuar në ndeshjet kundër Selltikut dhe Interit erdhën nga gabime të dukshme të vetë Milanit, jo nga cilësia e kundërshtarëve.

Aspekti tjetër shqetësues është mungesa e vazhdimësisë brenda së njëjtës ndeshje. Është një ves i keq që ishte i pranishëm edhe sezonin e kaluar. Në një moment të derbit, Milani fiket plotësisht, duke e gjetur sërish energjinë vetëm në minutat e fundit. Një pasivitet që është krejtësisht e kundërta e filozofisë së Amorimit. I lidhur ngushtë me këtë aspekt është edhe shpejtësia e qarkullimit të topit, e cila duhet të rritet. Nëse shpërndarja është shumë e ngadaltë (edhe kjo një trashëgimi nga sezoni i kaluar), bëhet më e vështirë të luash vertikalisht, sepse kundërshtarët kanë kohë të zënë hapësirat e duhura.